Një aksident në punë është regjistruar në një galeri kromi të vendosur në malin e Tërnovës, në bashkinë e Bulqizës. Sipas të dhënave të para, ngjarja ka ndodhur pas shembjes së një masivi shkëmbor, i cili ka bllokuar në thellësi të galerisë minatorin me inicialet I.K.
Edhe pse dyshohet se minatori mund të ketë humbur jetën, ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e emergjencës dhe grupet e specializuara të shpëtimit. Ato po zhvillojnë operacionin për nxjerrjen e minatorit nga thellësia dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij incidenti. Përpjekjet për shpëtim vazhdojnë në terren, ndërkohë që pritet njoftim zyrtar në lidhje me fatin e punonjësit dhe shkaqet që çuan në shembjen e masivit shkëmbor.