Një aksident në punë është regjistruar ditën e sotme në zonën e Tërnovës së Madhe, në Bashkinë Bulqizë, ku një minator ka mbetur i bllokuar brenda një galerie kromi. Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve, shtetasi me inicialet I. K., 40 vjeç, me detyrë minator dhe brigadier në një subjekt privat, dyshohet se ka rënë në një furnelë gjatë procesit të punës rreth orës 13:00.
Paraprakisht dyshohet se punëtori është mbuluar nga një sasi materiali kromi pas rënies në furnelë. Ekipet e kërkim-shpëtimit dhe forcat e Policisë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet e nevojshme për lokalizimin dhe nxjerrjen e 40-vjeçarit. Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë incident. Ndonëse në raportime të ndryshme mediatike janë përmendur versione të ndryshme lidhur me ngjarjen, informacioni zyrtar i Policisë i referohet rastit specifik të një personi të vetëm, shtetasit I. K., i cili ndodhet i bllokuar në furnelë.