Një aksident rrugor në autostradën pranë qytetit Lugoj të Rumanisë ka lënë të vdekur 7 persona, mes tyre shtetasin shqiptar Vasil Pilo. Ngjarja ndodhi këtë të martë, kur furgoni me tifozë të PAOK-ut nga Selaniku udhëtonte drejt Francës për ndeshjen kundër Lyon-it në Europa League.
Policia rumune e identifikoi zyrtarisht Vasil Pilo-në dhe njoftoi autoritetet greke. Lajmi konfirmohet nga burime pranë ambasadës shqiptare në Greqi. Vasil Pilo jetonte prej vitesh me familjen në Alexandrinë e Imathias, Greqi, dhe ishte tifoz i përkushtuar i PAOK-ut, i pranishëm në ndeshjet e skuadrës.
Një tjetër shqiptar, Genci Sadiku, mbeti i plagosur rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Rreth orës 14:00, ai komunikoi shkurtimisht me familjen: “Nuk e di si jam gjallë, por jam mirë. Do të kthehem në Shqipëri”. Familjarët e tij e konfirmuan këtë për mediat greke. Gjithsej 3 persona mbetën të plagosur rëndë.
Ngjarja ka prekur komunitetin shqiptar në Greqi dhe tifozët e PAOK-ut.
Përditësime
Genci Sadiku konfirmohet si viktima e dytë shqiptare e vdekur në aksidentin në Rumani, kundër raportimeve të mëparshme se ishte i plagosur.
- Automobili hyri në korsinë e gabuar dhe u përplas frontalisht me një kamion.
- Vasil Pilo, shqiptari i vdekur, identifikohet si 29-vjeçar.
- Janë publikuar pamjet e momentit të aksidentit.