Një aksident automobilistik është regjistruar pasditen e së premtes në segmentin rrugor të bypass-it të Fierit. Një automjet tip “Opel Astra”, i cili po lëvizte në drejtim të Levanit, ka dalë nga karrexhata dhe ka pësuar dëmtime të konsiderueshme materiale.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të mbikalimit të Memorialit. Sipas raportimeve, automjeti ka përfunduar jashtë rrugës, ndërsa disa burime saktësojnë se mjeti ka përfunduar në një kanal në afërsi të fshatit Daullas. Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i mjetit ka mbetur i lënduar.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe autoambulanca, të cilat kanë bërë të mundur dërgimin e të plagosurit në Spitalin Rajonal të Fierit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Efektivët e policisë kanë monitoruar qarkullimin në zonë për garantimin e sigurisë rrugore, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e provave dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në daljen e automjetit nga rruga.