Një aksident rrugor ka ndodhur në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, pranë kthesës së fshatit Hormovë. Në këtë përplasje janë përfshirë aktori i humorit Sejfulla Myftari, i njohur gjerësisht si Cekja, dhe kleriku bektashian, Baba Sheh Hormova.
Sipas raportimeve të deritanishme, përplasja ndërmjet automjeteve nuk ka qenë frontale, çka ka ndihmuar në shmangien e pasojave të rënda. Automjeti tip Mercedes-Benz, i cili drejtohej nga Sejfulla Myftari, është përplasur me automjetin tip Ford, që drejtohej nga Baba Sheh Hormova. Fatmirësisht, të dy drejtuesit nuk kanë pësuar lëndime fizike. Në vendin e ngjarjes janë regjistruar vetëm dëme materiale në të dy automjetet.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Gjirokastrës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Grupi hetimor është duke kryer veprimet e nevojshme procedurale për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota në të cilat ka ndodhur përplasja mes dy mjeteve.