Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 15:40 në fshatin Zallq të komunës së Istogut, ku janë përfshirë tri vetura. Përplasja ka rezultuar me lëndime trupore për tre persona, të cilët janë transportuar menjëherë me autoambulancë për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar rastin për mediat. Ai deklaroi se policia është njoftuar për aksidentin në orën e lartpërmendur dhe se njësitet kompetente po punojnë për zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur përplasja. Të lënduarit ndodhen nën mbikëqyrjen e personelit mjekësor në spital.