Një aksident rrugor me pasojë vdekjen ka ndodhur paraditen e kësaj të hëne në qytetin e Durrësit. Rreth orës 10:30, në lagjen nr. 13, një automjet tip taksi, i drejtuar nga shtetasi Aldi Talelli (26 vjeç), ka përplasur këmbësorin Fezi Dine (66 vjeç).
Sipas informacioneve zyrtare, përplasja ka ndodhur ndërsa i moshuari po kalonte rrugën në vijat e bardha. Pas aksidentit, i dëmtuari u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve të personelit mjekësor, 66-vjeçari nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i automjetit, 26-vjeçari, është shoqëruar menjëherë në komisariat nga blutë e qytetit. Autoritetet policore njoftuan se po kryhen veprimet procedurale për arrestimin e tij, ndërsa një grup hetimor vijon punën në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e plota dhe shkaqet e këtij aksidenti tragjik.
Përditësime
Policia e Durrësit arrestoi zyrtarisht 26-vjeçarin Aldi Talelli, drejtuesin e mjetit taksi që shkaktoi aksidentin fatal. Hetimet paraprake konfirmuan se mjeti ka qenë i parkuar në vijat e bardha, përpara se të dilte jashtë kontrollit dhe të ngjitej në trotuar. I arrestuari, me 8 vjet përvojë në timon, rezultoi negativ në testin e alkoolit, ndërsa deklaroi se mjeti ka pësuar një defekt teknik. Automjeti i përfshirë në ngjarje dispononte dokumentacion të rregullt për shërbimin taksi.
Pamjet filmike nga kamerat e sigurisë në zonë kanë zbardhur dinamikën e aksidentit, ku shihet momenti kur mjeti i kompanisë Wave Taxi humbet kontrollin. Videot dëshmojnë se 4 kalimtarë, mes të cilëve edhe një fëmijë, i shpëtuan për mrekulli përplasjes duke u shmangur në sekondat e fundit. Në dëshminë e dhënë përpara oficerëve të Policisë së Durrësit, 26-vjeçari Aldi Talelli ka deklaruar se mjeti ka pësuar defekt teknik dhe i ka dalë nga kontrolli gjatë lëvizjes.
Hetimet për aksidentin në Durrës po fokusohen te një defekt teknik i mjetit tip taksi elektrike. Drejtuesi i mjetit deklaroi përpara autoriteteve se automjeti u ndez në mënyrë të pavullnetshme dhe përshpejtoi automatikisht. Rindërtimi i dinamikës nga grupi hetimor konfirmoi se mjeti ishte i parkuar përpara se të nisej papritur, duke përplasur për vdekje 66-vjeçarin Fezi Dine përpara se të përfundonte në një mur.
Burime nga grupi hetimor sqaruan dinamikën e aksidentit, duke saktësuar se viktima Fezi Dine ndodhej në trotuar në momentin e goditjes dhe jo në vijat e bardha siç u raportua fillimisht. Viktima ishte duke ecur i shoqëruar nga një person tjetër, i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime.