Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë ditës së sotme në fshatin Ngucat të komunës së Malishevës, ku një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra. Sipas informacioneve zyrtare, viktima, një person i gjinisë mashkullore i moshës madhore, dyshohet se ka rënë nga një rimorkio derisa ishte duke kryer punime bujqësore.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka konfirmuar se autoritetet janë njoftuar për këtë rast rreth orës 17:20 nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë, ku viktima ishte dërguar pa shenja jete.
Pas marrjes së informatës, njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet e nevojshme. Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori i shtetit, nën koordinimin e të cilit po vazhdojnë procedurat ligjore për të zbardhur rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik.