Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar zyrtarisht ngritjen e aktakuzës ndaj të pandehurit F.B. për veprën penale “Vrasja e rëndë”. Sipas dosjes së prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 20 janar 2026 në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.
Bazuar në aktakuzë, pas një mosmarrëveshjeje verbale, i pandehuri e ka sulmuar fizikisht nënën e tij, T.B., duke e goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e dhunës së ushtruar, viktima ka pësuar shok traumatik, i cili i ka shkaktuar vdekjen në vendin e ngjarjes. Pas këtij veprimi, i pandehuri ka vendosur trupin e pajetë në divan dhe e ka mbuluar me një batanije. Trupi i viktimës është gjetur më pas nga të afërmit, të cilët kishin shkuar në shtëpi për ta vizituar, pasi ishin shqetësuar për gjendjen e saj.
Në kuadër të procedurave hetimore, i pandehuri i është nënshtruar një ekzaminimi psikiatrik dhe psikologjik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës. Rezultatet e këtij ekzaminimi kanë treguar se, në momentin e ndodhjes së veprës, aftësia e F.B. për të kuptuar dhe për të kontrolluar veprimet e tij ka qenë e zvogëluar në shkallë jo esenciale. Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.