Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit të Krimeve të Rënda dhe Njësitit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-rojtarëve të Njësisë Pyjore në Blinaj, Lipjan. Të pandehurit R.N. dhe H.D. dyshohen për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”, pasi nuk kanë kthyer armët zyrtare të shërbimit pas përfundimit të punës.
Sipas aktakuzës, R.N., i cili ka shërbyer gjatë periudhës 2022–2026, nuk e ka dorëzuar armën e modelit “Over/Under” pas pensionimit të tij. Ndërkaq, i pandehuri H.D., që ka qenë i angazhuar në të njëjtën njësi gjatë viteve 2019–2026, akuzohet se nuk e ka kthyer armën e modelit “Pump Action Shotgun” pas shkarkimit nga detyra. Prokuroria pretendon se këto veprime kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material ndaj Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit të provave dhe mbajtjes së seancave gjyqësore, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi. Të akuzuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë derisa fajësia e tyre të vërtetohet përmes një vendimi të formës së prerë nga ana e gjykatës.