Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurit V.M., nën dyshimin për përfshirje në plagosjen dhe rrëmbimin e Milan Vukasinović. Ngjarja e ndodhur më 1 nëntor 2025 dyshohet se u organizua përmes një plani ku viktima u josh të shkonte në një lokacion në fshatin Kapuricë të Komunës së Leposaviqit, nën pretekstin e blerjes së mjaltit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri V.M. ka ndihmuar në këtë vepër duke fotografuar automjetin e tipit “Niva” të viktimës pranë shtëpisë së tij dhe duke i dërguar fotografitë një personi me inicialet A.F. Më pas, i dyshuari e ka njoftuar A.F.-në për lëvizjen e viktimës drejt kufirit. Pas mbërritjes në lokacionin e caktuar, persona ende të paidentifikuar e kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën, duke e dërguar atë në territorin e Serbisë.
Krahas akuzave për rrëmbim dhe tentativë vrasjeje, V.M. ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Gjatë një kontrolli të autorizuar në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Leshak, autoritetet policore kanë gjetur dhe sekuestruar provat materiale si më poshtë:
• Një pushkë gjuetie me dy tyta
• Një tytë të armës së gjatë
• Një jelek gjuetie me 28 fishekë
• 11 fishekë të tjerë shtesë
Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që ta shpallë fajtor të pandehurin dhe ta dënojë konform dispozitave ligjore në fuqi. Sipas raportimeve, i pandehuri V.M. njihet si ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe dyshohet për bashkëpunim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë së Serbisë.