Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ka dorëzuar në Gjykatën Themelore aktakuzën ndaj të pandehurit me inicialet A.S. për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas dokumentit të akuzës, ngjarja ka ndodhur më 27 maj 2026, në një banesë në rrugën “Adem Voca”. I pandehuri, pasi është futur në banesën e viktimës E.I., ku ndodheshin gjithashtu i dëmtuari S.I., dëshmitari I.M. dhe një e mitur 6-vjeçare, dyshohet se e ka përqafuar viktimën dhe e ka uruar për festën e Kurban Bajramit.
Prokuroria thekson se, menjëherë pas këtij gjesti, i pandehuri ka shkuar në kuzhinë, ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur viktimën në pjesën e përparme të qafës. Plaga e shkaktuar rezultoi vdekjeprurëse, pasi viktima ndërroi jetë para se të arrinte të merrte ndihmë mjekësore në spital.
Pas këtij sulmi, A.S. dyshohet se ka tentuar të godasë me thikë edhe të dëmtuarin S.I. në fyt. Ky i fundit arriti t’i shmanget goditjes kryesore, por pësoi lëndime të lehta trupore në fytyrë, përkatësisht në hundë dhe buzë, pas një goditjeje të marrë nga i pandehuri. Prokuroria i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij sipas ligjit, ndërsa theksoi se i akuzuari gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.
Përditësime
Prokuroria Themelore në Mitrovicë konfirmoi detajet e plota të ngjarjes në rrugën Adem Voca. I dyshuari është identifikuar si 30-vjeçari Arben Spasolli. Viktima e vrasjes është Erduan Ibrahimi, ndërsa i dëmtuari që i mbijetoi sulmit është vëllai i tij, Shaban Ibrahimi.