Departamenti i Krimeve të Rënda pranë Prokurorisë Themelore në Gjakovë ka dorëzuar aktakuzën ndaj Sejdi Mazrekut, i cili akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ngjarja, e cila ka ndodhur më 11 qershor 2026, në orën 12:07, në fshatin Pagarushë të komunës së Malishevës.
Sipas dosjes së prokurorisë, motivi i sulmit lidhet me një mosmarrëveshje për linjën e autobusëve. I pandehuri fillimisht ka bllokuar rrugën me një traktor, e më pas ka hapur zjarr me një armë automatike të tipit AK-47 në drejtim të autobusit që drejtohej nga shtetasi V.S., në të cilin ndodheshin edhe pasagjerët F.K. dhe H.K.
Si pasojë e të shtënave, janë shkaktuar dëme materiale në pjesë të ndryshme të autobusit. Prokuroria ka vlerësuar se veprimet e të pandehurit kanë vënë në rrezik jetën e personave që ndodheshin brenda mjetit, ndonëse fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk ka pësuar lëndime trupore. Në vendin e ngjarjes, organet e rendit kanë sekuestruar armën automatike, karikatorin dhe municionin që dyshohet se janë përdorur në këtë incident.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, kishte njoftuar në ditën e ngjarjes se i dyshuari ishte ndaluar për 48 orë pas arrestimit të menjëhershëm nga njësitë policore. Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, ta shpallë fajtor të pandehurin dhe ta dënojë konform dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Përditësime
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj 57-vjeçarit Sejdi Mazreku, për sulmin me armë në Pagarushë. Ai akuzohet për veprat penale: vrasje e rëndë në tentativë (neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK-së) dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve (neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së).