Prokuroria Themelore Publike në Strugë ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët akuzohen për veprën penale “dëmtim ose shkatërrim i të mirave nën mbrojtje të përkohshme ose trashëgimisë kulturore”. Rasti lidhet me rrënimin e shtëpisë-muze të autorit të himnit maqedonas, Vllado Maleski, ngjarje e cila u shënua më 15 tetor 2025 në rrugën “Vëllezërit Milladinovci”.
Sipas hetimeve, i akuzuari i parë, një menaxher kompanie ndërtimore nga Veleshta, si investitor dhe kontraktor, nuk zbatoi detyrimet për hartimin e një projekti ideor specifik për rrënimin e objektit të vjetër. Ky veprim solli destabilizimin e shtëpisë së mbrojtur gjatë gërmimeve për bodrumin e ndërtesës së re. Ish-kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, akuzohet se ka miratuar lejen për ndërtimin e bodrumit në kundërshtim me vendimet e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Në aktakuzë janë përfshirë gjithashtu:
• Një inxhinier ndërtimi dhe një arkitekt nga Sektori për Urbanizëm i Komunës së Strugës, të cilët kanë hartuar dhe miratuar lejen pa projektin e kërkuar ideor.
• Një arkitekte-konservatore nga Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeu i Ohrit, e cila akuzohet se ka dhënë mendim pozitiv dhe ka vërtetuar dokumentacionin teknik në kundërshtim me rregulloret.
Autoritetet theksojnë se veprimet e të akuzuarve çuan në rrënimin e objektit për shkak të dëmtimit të murit të përbashkët ndarës ndërmjet dy ndërtesave.