Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit të Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj B.K. dhe F.S. për fajde, si dhe ndaj H.T. për manipulim me prova. Sipas aktakuzës, B.K. dhe F.S. dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje. F.S. ndodhet në arrati.
Sipas Prokurorisë, B.K. dhe F.S. i kanë dhënë hua në shuma të ndryshme L.S., duke shfrytëzuar gjendjen e tij të rëndë financiare dhe papërvojën. Aktakuza thotë se ata vendosën kamata dhe provizione mujore dukshëm joproporcionale me shumat e huazuara. Përmes marrëveshjeve të njëpasnjëshme të huadhënies dhe kërkesave për pagesën e detyrimeve, dy të pandehurit dyshohet se përfituan shuma të konsiderueshme pasurore.
Sipas Prokurorisë, L.S. dhe babait të tij, M.S., iu shkaktua dëm prej 140 mijë eurosh. Aktakuza ndaj H.T. lidhet me një marrëveshje huaje ndërmjet B.K. dhe L.S. Sipas pretendimit të Prokurorisë, në prill të vitit 2024, në Suharekë, H.T. mori origjinalin e dokumentit nga M.S., me arsyetimin se do t’ia paraqiste B.K.-së. Pasi ia paraqiti, dyshohet se e shkatërroi dhe e bëri të papërdorshëm, me qëllim që të pengonte përdorimin e tij në procedurë penale.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.