Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit në afat 30 ditësh ndaj të pandehurve F.B. dhe L.G., të cilët ndodhen në ndalim 48-orësh.
Të dyshuarit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të fajdeje, sipas nenit 331 par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ngjarja u zhvillua nga data 13 dhjetor 2025 deri më 19 shkurt 2026 në Prizren.
Sipas prokurorisë, të pandehurit kontraktonin një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit të B.K., duke shfrytëzuar gjendjen e tij të rëndë financiare dhe papërvojën. B.K. mori borxh nga F.B., të cilën ia siguroi L.G., me kushtin e pagesës së kamatës mujore 100%.
Pasi B.K. nuk arriti ta kthente shumën, kërkoi shtyrje të afatit deri në muajin korrik. F.B., në koordinim me L.G., nuk pranoi dhe ia shtyu afatin vetëm për një muaj. Në pamundësi për ta paguar, B.K. njoftoi policinë.
Prokuroria ka sekuestruar para të gatshme, pajisje elektronike dhe prova të tjera materiale në lidhje me këtë vepër penale.
Prokuroria Themelore në Prizren thekson përkushtimin e saj në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të personave që shkelin ligjin.