Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka marrë vendim për masat e sigurisë ndaj pesë të dyshuarve me inicialet G.Z., A.G., L.M., D.G. dhe E.A., të cilët akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të dyshuarit në bashkëkryerje dyshohet se kanë pajisur në mënyrë të kundërligjshme me fletë poseduese një person për një pronë me sipërfaqe prej 2 hektarësh, me vlerë 1.5 milionë euro, e cila më pas ishte tentuar të tjetërsohej përmes dokumenteve të falsifikuara.
Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, gjyqtari i procedurës paraprake e vlerësoi kërkesën për paraburgim si të pabazuar. Në vend të kësaj, gjykata vendosi masën e ndalimit për t’iu afruar vendit të caktuar, përkatësisht objektit të Komunës së Fushë-Kosovës në një distancë prej 200 metrash, si dhe masën e paraqitjes në stacionin policor. Këto masa janë caktuar për kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar nga data 8 shtator 2026 deri më 8 tetor 2026.
Gjykata ka theksuar se në rast të mosrespektimit të këtyre masave të shqiptuara, ato do të zëvendësohen me masën e paraburgimit. Vendimi konstaton se masat e caktuara janë të mjaftueshme për të garantuar zhvillimin e papenguar të procedurës penale. Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Përditësime
Kryetari i Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, paralajmëroi shkarkimin e Drejtorit të Pronës, Gëzim Zogiani, pas përfshirjes së tij në këtë rast. Prebreza theksoi se hetimet për tjetërsimin e pronës kishin nisur më herët dhe se çështje të ngjashme janë shqyrtuar edhe gjatë vitit 2025. Identiteti i zyrtarëve të përfshirë në hetime është bërë zyrtar, ku përveç Gëzim Zogianit, bëjnë pjesë edhe A.G., L.M., D.G. dhe E.A.