Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në vijim të transparencës ndaj publikut, bën me dije se trupat inspektuese të Drejtoria Rajonale Tiranë kanë zhvilluar kontrolle zyrtare në kuadër të planit mujor të inspektimeve me bazë rreziku për stabilimente me rrezikshmëri të lartë. Këto kontrolle u kryen në subjektin Bonum (baxho, përpunim qumështi) dhe KMY (përpunim mishi).
Në Bonum, inspektorët konstatuan kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme në ambientin e përpunimit, si dhe prani të mykut, ndryshkut dhe lagështisë. Për këto shkelje, u vendos bllokimi i menjëhershëm i aktivitetit dhe i 328.7 kg djathë i bardhë dhie, produkt i konsideruar i pasigurt. Subjekti u gjobit me 300.000 lekë për ushtrim aktiviteti në kundërshtim me kërkesat ligjore për higjienën e ushqimeve.
Në KMY, u evidentua një ambient ndihmës me kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme, ku procesi i shkrirjes së produkteve kryhej në kundërshtim me normat teknike. AKU vendosi bllokimin e ambientit ndihmës dhe të sasive 588 kg fileto pule Super Frango si dhe 150 kg gjoks pule Pechungon. Nga këto produkte u morën mostra për analiza mikrobiologjike, ndërsa sasitë do të qëndrojnë të bllokuara deri në rezultatet laboratorike. Subjekti u gjobit me 300.000 lekë.
Në total, u bllokuan mbi 1 ton produkte ushqimore për të garantuar sigurinë ushqimore.