Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zhvilloi një takim me mërgimtarët në sheshin Adem Jashari në Prishtinë, takim i organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Gjatë fjalës së tij, Kurti e vlerësoi rolin e diasporës si një zgjatje të rëndësishme të Kosovës dhe si një mundësi për zhvillimin e vendit. Ai theksoi se mërgimtarët, të cilët jetojnë në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Australi, Britani, Skandinavi, Gjermani, Zvicër dhe Austri, shërbejnë si ambasadorë të shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar.
Sipas Kurtit, angazhimi i tyre në arenën ndërkombëtare krijon një prezencë diplomatike të fuqishme, për të cilën shprehu mirënjohje. Në lidhje me mundësinë e kthimit të mërgimtarëve në atdhe, kryeministri në detyrë deklaroi se qeveria po përmirëson rrethanat në vend përmes proceseve të tilla si forcimi i sundimit të ligjit, qeverisja e mirë, luftimi i korrupsionit dhe investimet strategjike në bujqësi dhe ushtri.
Kurti vuri në dukje se procesi i kthimit është duke u konkretizuar për shumë familje, të cilat tashmë zotërojnë tokë, shtëpi ose banesa në Kosovë. Ai nënvizoi se institucionet shtetërore janë të interesuara që të krijojnë mekanizma për thithjen e ekspertizës së tyre, duke synuar kyçjen e qindra bashkatdhetarëve në institucionet publike të shtetit dhe mijëra të tjerëve në sektorin privat të ekonomisë së Kosovës.