Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e hapjes së edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj, ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të vendit në organizata ndërkombëtare. Sipas kryeministrit, anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t'u siguronte qytetarëve qasje të drejtpërdrejtë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa hyrja në Interpol do të forconte bashkëpunimin policor ndërkufitar në kohë reale.
Kurti vlerësoi se diplomacia dhe dialogu kanë mundësuar transformimin e Kosovës nga një vend që përballej me sfidat e shtetndërtimit në një pjesëmarrës aktiv në arenën ndërkombëtare. Ai përmendi gjithashtu procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe liberalizimin e vizave, që tashmë po zbatohet prej dy vjetësh për qytetarët e Kosovës në zonën Shengen.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, foli mbi zhvillimin e shërbimit të jashtëm, duke theksuar se Kosova ka kaluar nga periudha e administrimit ndërkombëtar në një shtet që operon me rrjetin e tij diplomatik. Aktualisht, shteti përfaqësohet në botë me mbi 50 misione diplomatike dhe konsullore në më shumë se 30 shtete.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Akademisë Diplomatike të Kosovës, Mirjeta Behluli, vlerësoi rolin e Shkollës Diplomatike si një platformë për përgatitjen e diplomatëve të rinj. Ajo njoftoi se Akademia Diplomatike ka nënshkruar deri më tani më shumë se 45 memorandume mirëkuptimi me institucione partnere në botë, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve profesionale të shërbimit të jashtëm të Kosovës. Tematika e këtij edicioni përqendrohet te roli i shteteve të vogla, diplomacia e zgjuar, siguria dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në kohë të pasigurisë globale.