Ambasada e Italisë në Prishtinë ka përkujtuar sot viktimat e masakrës së Reçakut të vitit 1999. Ambasadori Maurizio Antonini ka bërë homazhe në nderim të 45 civilëve të pafajshëm që humbën jetën në atë ngjarje.
Në njoftimin e publikuar thuhet se kujtimi për viktimat mbetet i përhershëm, ndërsa angazhimi për drejtësi vazhdon. "Sot, ne nderojmë kujtimin e viktimave të masakrës së Reçakut të vitit 1999. I kujtojmë me respekt 45 civilët e pafajshëm që humbën jetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj drejtësisë, në mënyrë që ata të mos harrohen kurrë", thuhet në deklaratë.
Ngjarja historike
Më 15 janar 1999, forcat policore serbe, njësitë ushtarake dhe formacionet paramilitare serbe hynë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes. Ato vranë 45 civilë shqiptarë. Viktimat u ekzekutuan në rrethana që tronditën opinionin vendor dhe ndërkombëtar.
Masakra u bë e njohur pas reagimit të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ai, pas vizitës në vendngjarje, ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Reçaku u shndërrua në simbol të vuajtjes së popullit të Kosovës dhe në moment kyç për ndërgjegjësimin ndërkombëtar mbi luftën, duke hapur rrugën për zhvillimet vendimtare.
Përditësime
Misionet diplomatike të SHBA-së (Josh Peterson), Gjermanisë (Rainer Rudolph), Francës (Olivier Guérot) dhe Britanisë së Madhe (Paul O’Connor), si dhe ambasadori amerikan William Walker, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore në Reçak.
Ambasadat lëshuan deklarata të reja duke theksuar kujtesën, drejtësinë dhe paqen.