Ministri për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti, në një intervistë për Euronews Albania me moderatorin Thimi Samarxhiu, ka ritheksuar se autoritetet serbe mbajnë përgjegjësi direkte për fatin e veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti. Sipas ministrit, i cili është edhe kryetar i Komisionit për personat e zhdukur, ndonëse ekzistojnë disa pista hetimore, mungesa e bashkëpunimit nga ana e Serbisë pamundëson përparimin e procesit.
Përgjegjësia institucionale dhe arkivat
Andin Hoti sqaroi se Ukshin Hoti është marrë nga institucionet shtetërore të sigurisë në Serbi, duke e bërë këtë një çështje me përgjegjësi të drejtpërdrejtë shtetërore për pushtetin në Beograd. Ministri theksoi se zbardhja e fatit të të atit, por edhe e rasteve të tjera të personave të zhdukur, nuk varet vetëm nga angazhimi profesional i palës kosovare, por kryesisht nga dorëzimi i arkivave të klasifikuara, të cilat Serbia vazhdon t'i mbajë të fshehura në sekret.
Kërkesa për presion ndërkombëtar
Lidhur me përpjekjet e deritanishme, Hoti vuri në dukje se delegacioni kosovar ka zhvilluar vizita të vazhdueshme në Serbi dhe ka kërkuar zbatimin e deklaratës së arritur më 2 maj. Megjithatë, sipas tij, për të tejkaluar këtë situatë, nevojitet një ndërhyrje më aktive nga bashkësia ndërkombëtare për të detyruar autoritetet serbe të ofrojnë informacionet e kërkuara.
"Besoj që këtu nuk është një çështje teknike, e as e lehtë, e as nuk mjafton ana profesionale e jona, por duhet vullnet politik. Po ashtu duhet një lloj presioni nga bashkësia ndërkombëtare që Serbia të dorëzojë informacionet për fatin e babait. Nuk besoj që fati i babait mund të zbardhet me ato që ne i kemi, me resurset që ne i kemi, me informatat që i kemi, pa u dhënë ato që i kam përmendur disa herë, arkivat e klasifikuara që Serbia vazhdon t'i mbajë në sekret", u shpreh Hoti gjatë intervistës.