Korporata e Investimeve Shqiptare anuloi procedurën për përzgjedhjen e partnerit privat që do të zhvillonte dy struktura akomoduese në Palasë dhe Dhërmi, në këmbim të ndërtimit të një qendre të re shërbimesh publike në bregdetin e Jugut. Shkak ishte numri i pamjaftueshëm i aplikimeve të dorëzuara në fazën e parë të konkurrimit, sipas njoftimit të Korporatës. Afati për shprehjen e interesit nga investitorët ishte 28 tetori.
Në njoftimin e anulimit thuhet se procedura nuk do të vijojë në fazën e përzgjedhjes së partnerit privat. Projekti, i quajtur “Qendra e Shërbimeve Publike Palasë”, ishte konceptuar si marrëveshje zhvillimi me sipërmarrjen private: shteti vinte në dispozicion prona në zona turistike, ndërsa investitori merrte përsipër ndërtimin e objekteve publike dhe zhvillimin e strukturave hoteliere.
Skema përfshinte tri zona të veçanta: një për funksione publike dhe dy për zhvillimin e hoteleve e të shërbimeve turistike. Qendra publike ishte planifikuar pranë rrethrrotullimit të Palasës, në një pronë shtetërore me sipërfaqe rreth 54 391 metra katrorë. Ajo do të përfshinte stacionin e policisë në Palasë, Policinë Kufitare të Dhërmiut, ambiente për Gardën e Republikës, shërbimin zjarrfikës, si dhe shërbime shëndetësore e të emergjencës.
Në këmbim të financimit të këtyre objekteve, partneri privat do të zhvillonte dy struktura akomoduese në prona shtetërore në Palasë dhe Dhërmi. Prona në Palasë, ku ndodhen funksione të stacionit të policisë, ka sipërfaqe prej 2 555 metrash katrorë, me potencial orientues zhvillimi prej rreth 3 577 metrash katrorë.
Në Dhërmi, projekti përfshinte pronën e Policisë Kufitare pranë vijës bregdetare, me truall rreth 1 500 metra katrorë dhe një ndërtesë ekzistuese prej 312 metrash katrorë. Sipërfaqja maksimale orientuese e zhvillimit atje ishte rreth 2 100 metra katrorë.
Sipas kushteve të konkurrimit, investitori privat duhej t’i kalonte Korporatës të paktën 35% të sipërfaqes së zhvilluar në secilën strukturë akomoduese. Kjo pjesë do të shërbente si kundërvlerë për ndërtimin e Qendrës së Shërbimeve Publike. Anulimi pason edhe raste të tjera kur projekte të Korporatës së Investimeve Shqiptare janë anuluar ose rishpallur për shkak të numrit të pamjaftueshëm të aplikimeve.