Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe të mbrojtësve ligjorë të të akuzuarve, duke lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë të datës 18 korrik 2025. Përveç Shkodran Pulajt, në këtë çështje penale janë përfshirë edhe Roksana Kaçiku, Ymridin Krasniqi, Xhevahir Koqinaj, Flamur Shala dhe Liridon Krasniqi.
Sipas vendimit të Apelit, i cili u përpilua më 24 prill 2026 pas seancës së mbajtur më 26 mars 2026, të akuzuarit janë shpallur fajtorë për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje. Trupi gjykues në Apel u kryesua nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, me anëtarë Xhevdet Abazin dhe Mentor Hajrajn.
Dënimet e shqiptuara për të akuzuarit:
• Shkodran Pulaj: 3 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
• Ymridin Krasniqi: 1 vit burgim dhe 1 mijë e 600 euro gjobë.
• Roksana Kaçiku: 1 vit burgim dhe 800 euro gjobë.
• Xhevahir Koqinaj, Flamur Shala dhe Liridon Krasniqi: secili nga 10 muaj burgim dhe 800 euro gjobë.
Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të ashpër për të akuzuarin Shkodran Pulaj, ndërsa mbrojtja e Pulajt dhe Kaçikut kishte kërkuar lirimin nga akuza ose kthimin e çështjes në rigjykim, duke pretenduar shkelje të procedurës penale. Gjykata e Apelit vlerësoi se aktgjykimi i shkallës së parë është i bazuar në prova të administruara mirë, duke konfirmuar se janë vërtetuar elementet objektive dhe subjektive të veprave penale, përfshirë furnizimin, posedimin dhe shpërndarjen e narkotikëve, si dhe mbajtjen pa leje të armëve.
Si dënim plotësues, gjykata ka urdhëruar konfiskimin e mjeteve të përdorura për kryerjen e veprave penale, përfshirë narkotikë, armë, municion, pajisje për pastrim armësh dhe mjete të tjera të gjendura gjatë kontrollit.
Përditësime
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin për gjashtë persona të akuzuar për shitblerje të kokainës. Vendimi përfundimtar parashikon një dënim kumulativ prej mbi 7 vitesh burgim dhe gjoba financiare në vlerë totale prej 6,800 eurosh.