Arjan Tahiri, shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, vizitoi më 16 mars 2026 ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Në një postim në Facebook, Tahiri e përshkroi hyrjen në ambientet e paraburgimit si një moment të rëndë dhe plot emocione. Ai shkroi se takimi me Thaçin dhe Veselin, dy figura që sipas tij qëndruan në ballë të rrugëtimit për liri në momentet më të vështira, e ka prekur thellë në shpirt.
"T’i shohësh sot prapa mureve të burgut, larg familjeve dhe vendit për të cilin sakrifikuan gjithçka, të prek thellë në shpirt. Kosova nuk harron. E vërteta dhe drejtësia do të dalin në dritë", theksoi Tahiri. Ai vlerësoi dinjitetin dhe besimin e tyre të pathyeshëm edhe në këto rrethana.
Tahiri shtoi se historia e Kosovës është e lidhur ngushtë me sakrificën e tyre dhe të shumë të tjerëve. Në postimin e tij, ai përmendi me respekt edhe Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po përballen me procese të ngjashme larg familjeve dhe atdheut.
Ky takim vjen në një kohë kur ish-udhëheqësit kosovarë përballen me procese gjyqësore në Hagë për çështje të rënda.