Pas një hetimi disa-javor me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë finalizuan operacionin e koduar “Partners”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve L. V., 64 vjeç, dhe A. V., 54 vjeçe, banues në fshatin Gjirakare.
Sipas njoftimit zyrtar, çifti dyshohet se ka kultivuar 270 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa në një zonë të pyllëzuar në afërsi të banesës së tyre. Bimët e identifikuara u asgjësuan nga shërbimet e policisë nëpërmjet djegies.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të arrestuarve, efektivët gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 thasë me lëndë të dyshuar narkotike, të cilët përmbanin bimë të prera në proces tharjeje. Materialet procedurale në ngarkim të tyre i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme. Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.