Strukturat e Hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë finalizuan me sukses operacionin e koduar "Ngarkesa". Në pranga kanë rënë shtetasit Sulejman Tota, 27 vjeç, dhe Julian Prendushi, 26 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe Blert Hasani, 25 vjeç, banues në Shëngjin.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, të arrestuarit u kapën në flagrancë në aksin rrugor Prrenjas-Pogradec. Ata po udhëtonin me një automjet, i cili po transportohej mbi një mjet tjetër me karroceri. Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e automjetit tip Volkswagen, në vendin e gomës rezervë, u gjet dhe u sekuestrua sasia prej 5.7 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Sulejman Tota iu gjet edhe një sasi tjetër e lëndës narkotike në xhep.
Krahas lëndës narkotike, në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi dy automjete, katër aparate celularë dhe një shumë parash në euro dhe lekë. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale të "Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve", kryer në bashkëpunim. Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe zbulimin e personave të tjerë të përfshirë.