Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetase 25-vjeçare, K. Sh. dhe S. Gj., pasi dyshohet se për shkak të pakujdesisë së tyre ka rënë zjarr në banesën që kishin marrë me qira në kompleksin Kika 1, në zonën e Komunës së Parisit. Ngjarja ndodhi një ditë më parë.
Sipas njoftimit të Specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, flakët kanë dëmtuar banesën e tyre dhe banesat e fqinjëve. Komshiu A. K. mbeti i asfiksuar nga tymi dhe u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga policia tregojnë se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga qirinj aromatikë. Të dyja të arrestuarat akuzohen për rënie të zjarrit nga pakujdesia.