Shërbimet e Policisë së Tiranës kanë finalizuar dy operacione të ndara për parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të zjarrvënies. Si pasojë, janë arrestuar dy persona të dyshuar për shkaktim të flakëve në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Shtetasi E. K., 49 vjeç, u arrestua në zonën e Kombinatit, pasi dyshohet se u ka vënë zjarrin disa mbeturinave në sheshin “Garibaldi”. Gjatë tentativës për t'u larguar nga vendngjarja, ai u ndalua nga efektivët e policisë. Pas kontrollit fizik, atij iu gjet një mjet prerës (thikë), i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Verifikimet e mëtejshme treguan se E. K. ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprat penale të vjedhjes dhe të posedimit të paligjshëm të armëve të ftohta.
Në një rast të dytë, policia arrestoi shtetasin Sh. H., i cili akuzohet se ndezi zjarr në një sipërfaqe toke në pronësi të tij në fshatin Prush. Përhapja e pakontrolluar e flakëve shkaktoi dëme në sipërfaqet kodrinore të fshatit, duke djegur pisha, bimësi të egër dhe pemë të tjera.
Materialet procedurale lidhur me këto dy raste i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka përsëritur thirrjen drejtuar qytetarëve për të shmangur djegien e mbeturinave dhe pastrimin e tokave nëpërmjet zjarrit, duke paralajmëruar se këto veprime përbëjnë vepër penale dhe sjellin pasoja për sigurinë publike dhe mjedisin.