Policia në Shkodër ka arrestuar tre shtetas për kanosje dhe ushtrim të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën ushqimore. Si rezultat i operacionit policor të koduar "Produkti", u vunë në pranga G. B., 67 vjeç, E. B., 33 vjeç (babë e bir) dhe A. B., 61 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.
Nga hetimet paraprake rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ushtruar kanosje për motive të dobëta ndaj dy shtetasve babë e bir, me qëllim përfitimin e pasurisë.
Gjatë kontrolleve në aktivitetin tregtar të G. B. dhe E. B., policia konstatoi prodhim të produkteve ushqimore të pamiratuara nga autoritetet përkatëse dhe në kushte jashtë standardeve higjeno-sanitare. Në vijim u bllokua aktiviteti i kundërligjshëm.
Si prova materiale u sekuestruan etiketa dhe stampa për 8 produkte të ndryshme ushqimore, si dhe 3 aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale:
- Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë;
- Fshehja e të ardhurave;
- Pastrimi i produkteve të veprës penale;
- Mashtrimi me produktet ushqimore;
- Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë.