Policia e Shkodrës arrestoi katër persona dhe shpalli në kërkim tre të tjerë në kuadër të operacionit antidrogë “POLINOMI”, pas një hetimi katërmujor nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Sipas policisë, u sekuestruan 265,4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, dy mina të dyshuara antitank, shtatë telefona celularë dhe gjashtë automjete.
Të arrestuarit janë Admir Selgjekaj, 38 vjeç, Elsid Ramci, 25 vjeç, dhe vëllezërit Bujar Kukaj, 56 vjeç, e Naim Kukaj, 52 vjeç. Në kërkim janë shpallur Esat Kukaj, 58 vjeç, Denjan Kukaj, 23 vjeç, dhe Anarldo Mulleti, 39 vjeç. Sipas policisë, të shtatë janë banues në Malësinë e Madhe dhe kanë precedentë të mëparshëm kriminalë në fusha të ngjashme.
Ndërhyrja u krye në lagjen “Guraj”, në Malësinë e Madhe, ku policia ndaloi një automjet “Volkswagen Passat”, të drejtuar nga Ramci. Kontrollet në automjet dhe në banesat e Bujar dhe Naim Kukajt çuan në gjetjen e lëndës narkotike, të përgatitur dhe paketuar për shitje e trafikim.
Në një sipërfaqe toke në pronësi të Bujar Kukajt u gjetën dy mina të dyshuara antitank. Ato iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura për ekzaminim të mëtejshëm. Sipas policisë, gjashtë automjetet e sekuestruara përdoreshin për transportimin e lëndës narkotike.
Sipas hetimeve, Bujar, Naim, Denjan dhe Esat Kukaj dyshohet se merreshin me magazinimin dhe paketimin e lëndës, ndërsa Selgjekaj, Ramci dhe Mulleti dyshohet se organizonin transportin dhe shitjen e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të arrestuarit dyshohen për vepra penale që lidhen me trafikimin, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, si dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Bujar Kukaj dyshohet gjithashtu për mbajtje pa leje dhe prodhim armësh, armësh shpërthyese e municioni.
Policia vijon kërkimet për tre personat e shpallur në kërkim. Hetimet nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës vazhdojnë për dokumentimin e veprimtarisë së dyshuar, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm dhe përcaktimin e rolit të secilit. Personat e përmendur prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.