Policia greke zhvilloi mëngjesin e 16 marsit 2026 një operacion në zonën e Sajadhës, pranë kufirit greko-shqiptar, ku sekuestroi 60 kilogramë e 565 gramë marijuanë dhe arrestoi një 18-vjeçar grek.
Oficerët e Departamentit të Narkotikëve të Nëndrejtorisë së Ndjekjes dhe Hetimit të Krimeve në Igumenicë lokalizuan një automjet privat, në pronësi të një kompanie që jep makina me qira, të drejtuar nga i riu. Gjatë kontrollit, në bagazh dhe në sediljet e pasme u gjetën tre çanta me 55 pako marijuanë.
Ndaj 18-vjeçarit u ngrit dosje penale për trafikim dhe transportim lëndësh narkotike. Ai u arrestua në flagrancë.
Autoritetet greke bëjnë të ditur se, që nga muaji shtator, kanë sekuestruar rreth 835 kilogramë marijuanë, të cilat dyshohen se kanë hyrë nga Shqipëria. Rastet janë evidentuar kryesisht në Igumenicë, në rrugë tokësore dhe detare, si dhe në Janinë, Selanik e Kostur.
Kontrollet në zonat kufitare do të vazhdojnë për të parandaluar trafiqet e drogës.