Policia greke ka zhvilluar një operacion pasditen e 31 janarit në Rajo të Igumenicës, në afërsi të kufirit greko-shqiptar. Sektori anti-drogë i policisë së Igumenicës ka kontrolluar një automjet që vinte nga kufiri gjelbër dhe synonte hyrjen në brendësi të Greqisë.
Gjatë kontrollit u gjetën 3 çanta me 51 pako marijuanë, në sasi prej 74 kg 804 gramë. Policia ka sekuestruar po ashtu automjetin dhe një telefon celular. Në prangat e saj ka rënë drejtuesi i mjetit, një 54-vjeçar shqiptar.
Prej shtatorit, policia greke ka sekuestruar rreth 775 kg marijuanë, e cila dyshohet se vinte nga Shqipëria. Rastet janë evidentuar në:
• Igumenicë në rrugë tokësore dhe detare;
• Janinë;
• Selanik;
• Kostur.
Përditësime
Policia greke e identifikoi të arrestuarin si Bujar Xhibo, 54-vjeçar nga Delvina (Shqipëri), me precedentë penalë në Shqipëri.