Shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit ndaluan një automjet në aksin rrugor Tiranë–Durrës, ku drejtuesi qarkullonte pa vendosur rripin e sigurimit. Ngjarja ndodhi gjatë një patrullimi për parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjatë kontrollit, drejtuesi shfaqi sjellje të dyshimta, çka çoi në kryerjen e testit me aparatin drogëtestues. Testi rezultoi pozitiv për përdorim të lëndëve narkotike.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi A. T., 23 vjeç. Materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
Sipas Policisë Rrugore të Durrësit, gjatë muajve janar dhe shkurt janë arrestuar edhe dy drejtues të tjerë mjetesh nën efekt lëndësh narkotike. Me këtë rast, numri i të arrestuarve shkon në tre.
Policia Rrugore apelon te drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos drejtojnë nën efekt alkooli, gjendje të dehur ose lëndësh narkotike, për të parandaluar aksidentet dhe rritur sigurinë në rrugë.