Operacioni policor i koduar “Zhvendosja”, i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, çoi në prangosjen e 27-vjeçarit E. C., banues në Durrës. Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari ishte akomoduar përkohësisht në Librazhd dhe ndryshonte shpesh vendbanimin me qëllim shmangien e zbulimit dhe vijimin e veprimtarisë së paligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, në afërsi të institucioneve arsimore.
Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti dhe sekuestroi sasi të dyshuara kokaine dhe cannabis sativa, të ndara në dhjetëra doza të gatshme për shitje. Përveç lëndëve narkotike, u sekuestruan 3 telefona celularë, një mjet prerës (thikë) që mbante me vete 21-vjeçari M. T., i cili shoqëronte 27-vjeçarin, si dhe automjeti që drejtonte E. C., për të cilin rezultoi se nuk posedonte leje drejtimi.
Shtetasi M. T. po hetohet në gjendje të lirë për posedim të paligjshëm të mjetit prerës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.