Pas një operacioni të finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i 30-vjeçarit Haki Koka. Operacioni i koduar "Informacioni" u zhvillua mbi bazën e informacioneve se i riu qarkullonte i armatosur dhe mbante armë pa leje.
I arrestuari, i cili është nipi i ish-ministrit Lefter Koka, u kap nga shërbimet e policisë në një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 11 të qytetit të Durrësit. Gjatë kontrollit fizik, në çantën marsup të shtetasit Haki Koka u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë, e shoqëruar me municion luftarak.
Në të njëjtin ambient ndodhej edhe një 28-vjeçare me inicialet K. Sh., banuese në Tiranë. Ajo është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të "Moskallëzimit të krimit". Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.