Policia e Fierit arrestoi sot Arnold Levendi, 33 vjeç, banues në Lushnjë, në flagrancë për shitje të lëndës narkotike kokainë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe në koordinim me Prokurorinë e Fierit, finalizuan operacionin e koduar "Rikthimi". Ky operacion erdhi si rezultat i një hetimi njëmujor për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të të dyshuarit të përfshirë në prodhim/shitje narkotikësh.
Gjatë kontrollit fizik, Levendi kishte me vete një dozë lënde narkotike kokainë. Në automjetin që drejtonte u gjetën 23 gramë të së njëjtës lënde, të siguruara dyshohet për shitje.
Bashkë me lëndën narkotike, policia sekuestroi si provë materiale automjetin dhe dy celularë të të arrestuarit. I arrestuari ka precedent penal për krime në fushën e narkotikëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.