Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Dibër, kanë finalizuar veprimet për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 24 korrik 2026 në bulevardin Elez Isufi. Pas hetimeve të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. I., 38 vjeç, banues në fshatin Pollozhan.
Sipas hetimeve paraprake, i arrestuari, në bashkëpunim me shtetasin K. I., 19 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër për të kanosur gjashtë shtetas: M. H. (52 vjeç), L. H. (21 vjeç), O. H. (25 vjeç), R. H. (21 vjeç), J. Sh. (18 vjeç) dhe K. D. (18 vjeç). Për 19-vjeçarin K. I., autoritetet kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë.
Në vijim të veprimeve procedurale, policia ka proceduar penalisht edhe tetë persona të tjerë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kishin dijeni për ngjarjen, por nuk e kanë raportuar atë pranë organeve kompetente. Në këtë grup përfshihen të kanosurit, si dhe shtetasit K. C. (70 vjeç) dhe R. C. (42 vjeç). Po ashtu, për shtetasin G. I., 44 vjeç, nga Pollozhani, ka nisur procedimi penal për veprën “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.