Operacioni policor, i zhvilluar nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër dhe Komisariati i Policisë Kufitare Dibër, u finalizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Policia ndaloi në aksin rrugor Maqellarë–Bulqizë një automjet tip furgon "Benz", ku u gjetën 762 koli me pije freskuese pa dokumentacion shoqërues.
Kontrollet e mëtejshme në banesën e të arrestuarit dhe në një automjet tip "Volkswagen" çuan në zbulimin e 1296 kolive të tjera me pije freskuese dhe 638 kutive me produkte ushqimore, kryesisht salcë. Sipas hetimeve paraprake, mallrat ishin futur në territorin e Shqipërisë në mënyrë të kundërligjshme, duke shmangur detyrimet doganore.
Në vijim të hetimeve, janë proceduar penalisht për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës" tre punonjës të Pikës së Kalimit Kufitar Bllatë:
• B. C., 43 vjeç
• Sh. K., 60 vjeç
• F. M., 48 vjeç
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme ligjore.