Specialistët e Hetimit të Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë (DVP) Elbasan, në bashkëpunim me oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin B. B. (Ç.), 41 vjeç. Arrestimi i tij erdhi si pasojë e kanosjes së katër punonjësve të Forcës Operacionale gjatë kryerjes së kontrolleve dhe veprimeve operacionale në lagjen “Visarion Xhuvani”.
Sipas njoftimit zyrtar, 41-vjeçari përdori një send të ngjashëm me armën e zjarrit, të dyshuar si armë manovër, për të penguar efektivët në detyrë, të cilët kishin për qëllim kapjen e vëllait të tij. Ky i fundit, i identifikuar si shtetasi B. B., rezulton i shpallur në kërkim për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në vendin e ngjarjes, shërbimet policore kanë sekuestruar sendin e dyshuar si armë manovër. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme. 41-vjeçari akuzohet për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ndërkohë, Policia e Elbasanit po vijon kontrollet intensive për lokalizimin dhe arrestimin e vëllait të të ndaluarit.