Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin O. L., 47 vjeç, banues në fshatin Thanë. Ai dëmtoi portën e banesës së shtetases S. H., 66 vjeçe, në të njëjtin fshat, duke drejtuar një automjet pa leje drejtimi. Dyshohet se veprimi u krye për motive të dobëta.
Pas njoftimit për dëmtimin e portës, policia kryen menjëherë veprimet hetimore dhe identifikoi autorin. Nga verifikimet rezultoi se O. L. kishte thyer masën e sigurisë arrest në shtëpi, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprat penale:
• Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit,
• Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt,
• Shkatërrimi i pronës.