Në qytetin e Mestres në Venecia, autoritetet italiane kanë vënë në pranga një shtetas shqiptar, i cili dyshohet se ka ushtruar përndjekje sistematike ndaj ish-partneres së tij. Ngjarja arriti kulmin kur i dyshuari u shfaq në picerinë ku ndodhej gruaja, duke e detyruar atë të kërkojë strehim në tualetin e lokalit dhe të njoftojë policinë për ndihmë.
Sipas hetimeve paraprake të policisë italiane, i arrestuari kishte ushtruar presion ndaj ish-partneres për një kohë të gjatë. Ai e kishte kërcënuar vazhdimisht përmes mesazheve dhe thirrjeve telefonike, si dhe ishte përpjekur ta takonte në mënyrë të përsëritur në vendet që ajo frekuentonte. Kjo sjellje kishte shkaktuar tek ajo një gjendje të rëndë ankthi, duke e detyruar të ndryshonte zakonet dhe rutinën e saj të përditshme për të shmangur kontaktet me të.
Efektivët e policisë mbërritën në piceri menjëherë pas thirrjes së gruas dhe e arrestuan personin në flagrancë. Aktualisht, autoritetet italiane po vijojnë procedurat ligjore lidhur me këtë rast për akuzën e përndjekjes, ndërsa situata është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave të rendit.