Zëvendësdrejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, Daniel Gjura, i cili më parë ka mbajtur edhe postin e drejtorit në këtë institucion, është vënë në pranga mbrëmjen e kaluar. Gjura ishte shpallur në kërkim pasi gjykata kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim.
Sipas hetimeve 7-mujore të prokurorisë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të këtij institucioni dyshohet se kanë krijuar një skemë për regjistrimin e paligjshëm të pronave shtetërore në emër të shtetasit Teshar Doçi dhe familjarëve të tij. Për Teshar Doçin dhe familjarin e tij, Fatjon Çakrri, gjykata ka vendosur gjithashtu masën “Arrest në burg”.
Në lidhje me këtë skemë mashtrimi, masat e tjera të sigurisë për të përfshirët janë:
- Një notere është shpallur në kërkim, ndërsa gjykata ka caktuar masën “Arrest në shtëpi”;
- Dy ish-funksionarë të Kadastrës janë lënë në “Arrest në shtëpi”;
- Gjashtë punonjës aktualë janë nën masën “Detyrim paraqitjeje”;
- Një familjar tjetër i shtetasit Doçi është gjithashtu nën masën “Detyrim paraqitjeje”.
Materialet procedurale i kanë kaluar prokurorisë për vijimin e hetimeve të mëtejshme.
Përditësime
Në kuadër të një operacioni të zhvilluar më 17 qershor, autoritetet ekzekutuan 14 masa sigurie, mes të cilave edhe arrestimin e zëvendësdrejtorit të Kadastrës në Dibër, Daniel Gjura. Hetimet zbuluan se Gjura ka kandiduar për deputet nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2025.
Policia e Shtetit arrestoi mbrëmjen e së martës zëvendësdrejtorin e Kadastrës në Dibër, Daniel Gjura, pas një muaji në kërkim. Në kuadër të të njëjtit procedim penal, ndaj bashkëshortes së Teshar Doçit është caktuar masa e sigurisë "Detyrim paraqitje".