Ami Kozeli, drejtor i ARRSH-së, dhe Ergys Verdho, administrator i Hekurudhës Shqiptare, inspektojnë punimet në zonën Arrat e Gurrës në Dragostunjë të Librazhdit, pas rrëshqitjes masive të dherave në aksin Librazhd-Pogradec.
Juglindja e vendit është në izolim prej 8 ditësh. Kompania kontraktuese ANK heq inertet dhe dherat nga platforma e rrugës, duke punuar edhe natën për pastrimin e sipërfaqes dhe marrjen e kampionëve gjeologjikë.
Kozeli deklaroi se të hënën do përcaktohen afatet për ndërtimin e rrugës alternative në trupin lumor pranë hekurudhës. Projektuesi ka sjellë 3 propozime trajektore, të cilat u diskutuan sot në mëngjes. Afatet varen nga vlerësimi i volumit të punëve dhe rezultateve gjeologjike, të cilat mund të hapin alternativa të tjera.
Punimet zhvillohen 24 orë në 24, me mjete të rënda dhe punëtorë në dy turne nga 12 orë. Shërbimi Gjeologjik ka përcaktuar 4 pika sondazhi: një e përfunduar, e dyta gjatë ditës së sotme, ndërsa dy të tjerat nesër. Qëllimi është stabilizimi i skarpatës.
Ka mobilizim të plotë nga kontraktorët, Shërbimi Gjeologjik dhe institucionet përgjegjëse. Verdho tha se do nxirren mësime nga ngjarja për të shmangur përsëritjen. Aksi i hekurudhës mbetet i njëjti, me përmirësime të rrezeve sipas konsulentit dhe vende të reja veprash nëse nevojitet.
Ndërhyrjet nuk ndikojnë në projektin e Korridorit VIII.
Përditësime
ARRSH ka përfunduar mbrojtjen lumore dhe devijimin e trupit lumor, me këshillim nga dy ekspertë të Universitetit Politeknik dhe Institutit të Inxhinierisë. Autoritetet planifikojnë një mbledhje pas punimeve me drejtues dhe ekspertë për nxjerrjen e mësimeve.