Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) sqaron se bllokimi i përkohshëm i rrugës në dalje të Tunelit të Llogarasë u krye në kuadër të masave të sigurisë për punimet në rrugët lidhëse të tunelit.
Shpërthimi i planifikuar u realizua në orën 12:30, në prani të Policisë së Shtetit, për të menaxhuar qarkullimin e mjeteve. Për shkak të trafikut minimal, rruga u mbyll për rreth 20 minuta. Pas përfundimit të procesit dhe pastrimit të zonës, qarkullimi rifilloi normalisht.
Detajet e punimeve
Punimet i përkasin segmentit rrugor të rrugëve lidhëse me Tunelin e Llogarasë dhe synojnë rehabilitimin e rrugës ekzistuese në një gjatësi prej rreth 1 km, nga dalja e tunelit në anën e Palasës deri në kryqëzimin me rrugën e re Palasë–Dhërmi.
Aktualisht zhvillohen:
• Zgjerimi i aksit ekzistues;
• Ndërtimi i një aksi të ri prej rreth 600 metrash, ku kryhen punime gërmimi për trupin e rrugës.
Gjatë gërmimeve, kur haset material i fortë shkëmbor, përdoren shpërthime me sasi të vogla eksplozivi.
Shpërthimet e ardhshme
ARRSH parashikon realizimin e 5-6 shpërthimeve të tjera. Shpërthimi i radhës mund të kryhet ditën e mërkurë. Punimet vijojnë me ritëm të lartë, me synim përfundimin para nisjes së sezonit veror.
Në një njoftim të veçantë, ARRSH bën thirrje për kujdes në Qafë Thore, ku reshje të dendura dëbore kërkojnë pajisje me zinxhirë dhe ndjekje të udhëzimeve të stafit në terren.
Përditësime
Rënie dherash dhe gurësh pranë daljes së Tunelit të Llogorasë, për shkak të punimeve, bllokoi aksin rrugor për rreth 30 minuta, duke krijuar radhë automjetesh.
Mjetet e firmës së punimeve ndërhynë për pastrimin e segmentit.
ARRSH dhe punonjësit në zonë kërkojnë kujdes të shtuar.