Asociacioni i Komunave të Kosovës do të organizojë një protestë më 1 shtator, në orën 11:00, në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë. Ky tubim, i cilësuar nga drejtuesit si institucional, paqësor dhe jopartiak, synon të kundërshtojë ndërhyrjet e nivelit qendror në kompetencat e pushtetit lokal, si dhe obligimet e rënda financiare që po rëndojnë buxhetet komunale. Me moton “Mos ua merrni komunave atë që u takon qytetarëve”, kryetari i Asociacionit dhe i Ferizajt, Agim Aliu, renditi një sërë çështjesh që kanë shtyrë komunat drejt këtij veprimi.
Sipas Aliut, dëmi financiar më i madh për komunat ka ardhur nga zbatimi i kontratave kolektive, ku shuma e obligimeve ka arritur në 360 milionë euro. Ai theksoi se përmes proceseve gjyqësore përmbarimore, komunave u janë marrë rreth 27 për qind e mjeteve, ose mbi 100 milionë euro. Një tjetër pikë kritike qëndron te financimi i arsimit parauniversitar, ku planifikimi për uljen e numrit të 3100 mësimdhënësve pritet të shkaktojë kosto shtesë prej 24 milionë eurosh, pasi shumica e tyre kanë kontrata të përjetshme që do të çojnë në procese të reja gjyqësore.
Ndër kërkesat e tjera janë kompensimi i dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, si vërshimet, tërmetet dhe breshëri, për të cilat komunat thonë se nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme. Aliu kritikoi gjithashtu mungesën e dialogut, duke vënë në pah se bordi i Asociacionit nuk është takuar me kryeministrin Albin Kurti prej dy vitesh. Sipas tij, kjo mungesë komunikimi dhe paqëndrueshmëria institucionale janë pengesa kryesore për punën e pushtetit lokal. Deri në momentin e konferencës, kryetari i Asociacionit njoftoi se nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për mospjesëmarrje nga kryetarët e komunave në protestë.
Përditësime
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, sqaroi se pjesëmarrja në protestën e 1 shtatorit është vullnetare dhe se ky mekanizëm nuk ka autoritet detyrues mbi komunat. Protesta do të organizohet në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Ibrahimi paralajmëroi rrezikun e një humbjeje shtesë prej 60 milionë eurosh nga buxhetet komunale, si pasojë e moszbatimit të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, konfirmoi se në protestën e 1 shtatorit do të marrin pjesë kryetarët, kabinetet dhe drejtoritë komunale, duke garantuar një mobilizim gjithëpërfshirës. Protesta do të nisë zyrtarisht në orën 11:00 në sheshin Skënderbeu. Asociacioni i Komunave të Kosovës njoftoi se ky organizim shërben si paralajmërim për qeverinë, ndërsa theksoi se do të ndërmerren veprime të tjera nëse kërkesat e tyre nuk rezultojnë me zgjidhje konkrete.
Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, sqaroi se pjesëmarrja në protestën e 1 shtatorit nuk do të kufizohet vetëm te kryetarët dhe stafi administrativ. Ai konfirmoi se në tubim pritet të marrin pjesë edhe anëtarë të kuvendeve komunale dhe qytetarë. Organizatorët theksuan se kontrata kolektive mbetet një prej barrëve kryesore financiare që po rëndon buxhetet e komunave.