Katër astronautë në bordin e anijes kozmike Dragon Endeavour kanë mbërritur në Tokë më 15 janar 2026, pas gati pesë muajsh qëndrimi në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS). Ky kthim shënon evakuimin e parë historik nga ISS për arsye mjekësore.
Për herë të parë që nga muaji gusht, ata po përjetojnë gravitetin tokësor, një ndryshim i konsiderueshëm për organizmat e tyre pas ekspozimit të gjatë ndaj mikrogravitetit. Jeta në ISS shkakton dobësim të muskujve dhe kockave, ndryshime në formën e syve, si dhe shqetësime të tjera fizike. Fluturimi i kthimit përfshin lëvizje intensive dhe kalim përmes plazmës atmosferike, që mund të shkaktojë sëmundje shtesë.
Ekuipazhi do të nënshtrohet një procesi të detajuar përshtatjeje në ambiente speciale të NASA-s. Aty, ekipe mjekësore do t'i monitorojnë dhe do t'i ndihmojnë me programe rehabilitimi për të rifituar forcën dhe balancën fizike.
Dr. Helen Sharman, britanikja e parë në hapësirë, deklaroi për BBC-në se kthimi nuk është i menjëhershëm. "Nuk është sikur hapin kapakun, i vizitojnë shpejt dhe pastaj u thonë ‘shkoni në shtëpi’", tha ajo. Astronautët do të punojnë me trajnerë të specializuar dhe do të kalojnë seanca mjekësore të zgjatura.
Sipas së Sharman, rikthimi në shtëpi do të jetë lehtësim i madh. Fjetja në shtretërit e tyre do të ndihet si "luks", ndërsa do të shijojnë aspektet e thjeshta të jetës së përditshme, duke u përshtatur gradualisht me normalitetin tokësor.