Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Kosovë ka njoftuar se produktet e kafesë që tregtohen në vend janë të sigurta për konsum. Kjo vjen pas shqetësimeve të ngritura në opinion lidhur me sigurinë e tyre.
Para disa ditësh, AUV ka pranuar një njoftim përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) nga autoritetet kroate. Ky njoftim përmendte praninë e nivelit të lartë të akrilamidës në një produkt kafe të bluar me origjinë nga Kosova, të eksportuar në Kroaci. Brendi i përmendur ishte „Monaco”, i prodhuar nga Devolli Corporation për tregun kroat.
Menjëherë pas këtij njoftimi, AUV ka ndërmarrë veprime verifikuese në përputhje me Planin Vjetor të Inspektimit dhe parimin e vlerësimit të riskut. Këto përfshinin inspektime në terren, marrje të mostrave dhe analiza laboratorike për të gjitha brendet e kafesë që përpunohen për konsum të brendshëm dhe për eksport nga Kosova.
Rezultatet e analizave laboratorike konfirmuan se nivelet e akrilamidës në të gjitha produktet e testuara janë nën kufirin maksimal të lejuar sipas standardeve të sigurisë ushqimore. Prandaj, operatorët e bizneseve ushqimore mund të vazhdojnë tregtimin e kafesë.
AUV thekson se do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.