Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka ndaluar importimin e 1080 litra vaj ulliri për sallatë në pikën doganore të Vërmicës. Kontrolli u realizua nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar pas shqyrtimit të lëndës me numër aplikacioni PIKF297960/2026, të datës 18 shkurt 2026.
Produkti ishte destinuar për tregun e Kosovës dhe vinte nga kompania Euro Made 2021 në Lushnjë, Shqipëri. Gjatë kontrollit fizik, inspektorët konstatuan mungesë të dhënash të nevojshme në deklaracionin e mallit. Për më tepër, vaji ishte transportuar në kushte jo higjienike, së bashku me mallra jo ushqimore si detergjentë, çka rriti rrezikun e kontaminimit.
AUV e vlerësoi produktin si të papërshtatshëm, të pasigurt dhe të rrezikshëm për konsum, në përputhje me Ligjin e Ushqimit, Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe rregulloret për sigurinë ushqimore. Prandaj, nuk u lejua hyrja e tij në territorin e Kosovës.
AUV thekson se do të vazhdojë monitorimin e rreptë të produkteve ushqimore në pikat kufitare për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.