Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) i ka dorëzuar kompanisë ABRAZEN L.L.C., me seli në Sinajë të Istogut, raportet zyrtare të analizave laboratorike për produktet e qumështores VITA. Dokumentet e publikuara vërtetojnë se qumështi UHT dhe jogurti i kësaj kompanie janë të pastra nga çdo element i dyshuar për ndërhyrje artificiale.
Analizat janë kryer mbi mostra të ndryshme të marra nga inspektorët e AUV-së gjatë muajit korrik të vitit 2026:
- Mostra e qumështit (1L dhe 2L) është marrë më 3 korrik 2026, ndërsa raporti përkatës është lëshuar më 5 gusht 2026.
- Mostra e jogurtit (1x540 gram) është marrë për testim më 13 korrik 2026.
Sipas gjetjeve të laboratorit të AUV-së, në produktet e analizuara nuk është identifikuar asnjë sasi e qumështit pluhur dhe as sasi e shtuar e yndyrës bimore apo vajit të palmës. Gjithashtu, në analizën laboratorike të jogurtit nuk është detektuar prania e niseshtes. Bazuar në këto rezultate, AUV-i i ka klasifikuar mostrat e testuara si të rregullta, duke konfirmuar respektimin e standardeve të kërkuara për sigurinë e këtyre produkteve ushqimore për konsumatorët.
Përditësime
Këshilltari ligjor i VITA-s, Lekë Sahatqiju, konfirmoi për EURO T7 përkushtimin e kompanisë ndaj standardeve të larta të cilësisë. Përmes një deklarate publike, kompania theksoi se produktet e tyre përbëhen nga 100% qumësht pa shtesa të paautorizuara, ndërsa rezultatet zyrtare laboratorike u publikuan 36 ditë pas testimit në terren.